Tafaj: Merkatoja e janarit, më cilësore se ajo e verës

Unknown | Thursday, November 15, 2012 |


Nga MEJDAN ZHIVANI 
Trajneri i Tiranës, Alban Tafaj,  ka deklaruar se në janar do të ndërhyhet për të afruar lojtarë më cilësorë, por nuk jep detaje të tjera në këtë drejtim
Pasi ka marrë konfirmimin se do të jetë trajner i Tiranës deri në fund të këtij sezoni, trajneri Alban Tafaj ka nisur të mendojë për merkaton e janarit. Ai po studion të gjitha pistat e mundshme, duke piketuar edhe lojtarët e mundshëm që mund t’i afrojë. Tafaj garanton se merkatoja e janarit do të jetë shumë herë më cilësore se ajo e realizuar në verë.
“Mund të them vetëm se merkatoja e janarit do të jetë më e mirë dhe më cilësore se ajo e verës”,- ka pohuar për gazetën “Sporti Shqiptar”, trajneri i Tiranës, Alban Tafaj. Ai nuk ka pranuar të japë emra konkret apo të përmend rolet, në të cilat do të ndërhyhet në janar.
Megjithatë, nga sa është mësuar, bardheblutë do të operojnë në të tria repartet: mbrojtje, mesfushë dhe në sulm. Gjatë merkatos së verës janë afruar futbollistë në çdo repart, që duket se deri tani nuk kanë bindur siç duhet. Dy prej tyre, si malazezi Zec dhe italiani Pigoni, nuk aktivizohen fare, ndërsa ndaj disa të tjerëve, që janë shqiptar, ka shumë pretendime për kontributin e tyre. Alban Tafaj ka konfirmuar se Tirana do të ndërhyjë fuqishëm në merkato.
Në këtë mënyrë pritet që të ketë edhe largime, ku të parët mund të jenë futbollistët e ardhur gjatë merkatos së verës, që nuk kanë bindur. Megjithatë, mund të largohen edhe lojtarë të tjerë si Gilman Lika, të cilit i mbaron kontrata me bardheblutë, apo edhe ndonjë tjetër që mund të prishë kontratën me klubin e futbollit “Tirana”. Që tani kanë nisur “ethet” e merkatos në radhët e bardhebluve.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!