Zyrtare, Pep Guardiola firmos për Bajern Mynih!
Pep Guardiola do të ulet në stolin e Bajern Mynih duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Lajmi është zyrtarizuar sot nga vetë klubi bavaraze që ka bërë të ditur se tekniku spanjoll do të marrë drejtimin e ekipit në fund të këtij sezoni, pas largimit të Jup Heinkes të cilit i mbaron kontrata me kryesuesit e Bundesligës.
“Siç ishte lajmëruar, me 16 janar u mbajt një takim mes Jup Heinkes dhe Karl Hainz Rumenige. Trajneri kishte bërë të ditur që para Krishtlindjeve për idenë e tij për të mos rinovuar kontratën me Bajern Mynih që mbaronte në fund të këtij sezoni dhe kjo u zyrtarizua në takimin e sotëm”, shkruhet në lajmërimin e Bajernit.
“Për të zëvendësuar Heinkes, Bajern Mynih ka nënshkruar me një nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit botëror, Pep Guardiolën. Ish-trajneri i Barcelonës dhe klubi kanë vendosur të fillojnë bashkëpunimin duke filluar nga sezoni i ardhshëm 2013-2014, me një kontratë që zgjat deri në 30 qershorin e viti 2016”.
“Ne jemi shumë të lumtur që ia dolëm mbanë të sjellim ekspertin e futbollit të bukur, Pep Guardiola, të cilin e kërkonin shumë klube të famshme në botë. Ai është një nga trajnerët më të suksesshëm në botë dhe ne jemi të sigurt se jo vetëm Bajern, por i gjithë futbolli gjerman do të ketë mundësinë të shkëlqejë prej tij. Presim me padurim të fillojmë punën në korrik me të”, tha Karl Hainz Rumenige. (LajmeShqip.com)
Category: Futboll