Sejdiu premton ndihmë për sportin kosovar

dardanmiftari | Thursday, March 12, 2009 | 0 Komente

Sportistët e Republikës së Kosovës meritojnë t’u jepet mundësia për të garuar me përfaqësuesit e vendeve të tjera të botës së lirë demokratike, theksoi presidenti Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati të enjten me Besim Hasanin, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Gjatë takimit me Hasanin, si dhe me tre nënkryetarët e këtij komiteti, presidenti Sejdiu sërish pohoi gatishmërinë e tij të plotë për t’u ndihmuar federatave përkatëse të sportit dhe vetë Komitetit Olimpik të Kosovës në përpjekjet e gjithanshme që po bëjnë ato për afirmimin e sportit të Kosovës, si dhe për anëtarësimin e tyre sa më të shpejtë në asociacionet e sportit ndërkombëtar dhe në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik. “Me sukseset dhe me paraqitjet e tyre dinjitoze jashtë vendit, sportistët e Kosovës kanë dhënë dëshmi të bollshme se kanë talent, dije dhe vullnet për t’u matur me sportistët e vendeve të tjera”, tha Sejdiu, duke ripërsëritur vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar sportistët tanë në përpjekjet e gjithanshme për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës. Presidenti Sejdiu dhe drejtuesit e KOK-ut u pajtuan që nevojitet një bashkëpunim i shtuar i të gjitha institucioneve shtetërore e sportive në vend, me qëllim që të arrihet një mbështetjeje sa më e gjerë ndërkombëtare për sportistët e Kosovës, për federatat veç e veç dhe për vetë Komitetin Olimpik të Kosovës.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...