Kosova jo e plotë kundër Xamaxit
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në Futboll, Albert Bunjaki, ka thënë se ai ka pasur vështirësi për të grumbulluar lojtarët më të mirë për ndeshjen kundër Xamax Neuchatel, për shkak se këtë nuk e kanë lejuar klubet ku luajnë lojtarët.
Përfaqësuesja e Kosovës të shtunën me fillim në ora 19.30 do të ndeshet në një miqësore me klubin zviceran Xamax, që do të jetë edhe një rast i mirë për përzgjedhësin Bunjaki të testojë disa prej lojtarëve dhe talentëve të rinj.
“Ka qenë e pamundshme të realizohet lista më herët dhe jemi detyruar që vetëm deri në ditën e fundit të kuptojmë për lojtarët që do të vijnë të luajnë. Kam ftuar 18 lojtarë bazë dhe dy talentë që do të jenë vetëm pjesë e ushtrimeve Besnik Salihi (Young Boys), Ramadan Morina (Zurich)”.
“Ka pasur edhe të lënduar që kanë anuluar ardhjen si portieri i Kalmarit, Etrit Berisha dhe mesfushori i Helsingborgut, Ardian Gashi. Kjo listë nuk është e përkryer, por më shumë nuk kam mundur të bëj sa i përket ardhjes së lojtarëve. Në disa klube kam pasur mirëkuptim. E pranoj se ka lojtarë që unë edhe nuk i njoh, por këta janë nga ligat e mira”, ka thënë Bunjaki gjatë konferencës së shtypit rreth ndeshjes së nesërme.
Bunjaki po ashtu ka paralajmëruar lojtarët për shkak se ndeshja luhet në bar artificial, e që mund të jetë problem për disa lojtarë.
Në vazhdim lojtarët e grumbulluar:
Portierët: Kushtrim Mushica (Renova), Agim Dushica (Gjermani)
Mbrojtës: Liridon Leci (Kastrioti), Avni Pepa (Start IK), Alban Dragusha (Skenderbeu), Liridon Kukaj (Vllaznia), Shqipon Skeraj (pa klub), Behar Maliqi (Prishtina)
Mesfushorë: Anel Rashkaj (Halmstad), Alban Ramaj (Erzgebirge AUE), Enis Alushi (Paderborn), Ymer Xhaferi (Jaro), Kristian Nushi (St Gallen), Shqipon Bektashi (Freiburg)
Sulmues: Valdet Rama (Hannover), Drilon Shala (Lahti), Kujtim Balaj (Halmstad), Liridon Hasani (Gjilani)
Rezervë: Besnik Salihi (Young Boys), Ramadan Morina (Zurich)
Category: Futboll
0 Komente