Goleadë në derbi

dardanmiftari | Sunday, February 06, 2011 | 0 Komente

Kampioni i Italisë në fuqi, Inter, ka shënuar fitore prej 5-3 kundër Romës në derbin e javës së 24 në Serie A, të zhvilluar të dielën mbrëma në Giuseppe Meazza. Wesley Sneijder hapi serinë e golave (3’), ndërsa dhjetë minuta më pas Fabio Simplicio barazoi rezultatin.
Samuel Eto’o riktheu epërsinë e Nerazzurëve pas asistimit të Sneijder (35’), dhe me rezultat 2-1 përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Nicolas Burdisso e dëmtoi Romën, pasi shkaktoi penallti në Giampaolo Pazzinin dhe u përjashtua me karton të kuq (62’), ndërsa nga pika e bardhë ishte i saktë Eto’o. Thiago Motta ngriti epërsinë e vendasve në 4-1 (71’), mirëpo romakët rikthyen fuqinë, përkundër një lojtari më pak në fushë dhe arritën të realizojnë edhe dy herë, me anë të Mirko Vucinic (75’) dhe Simone Loria (81’).
Megjithatë, shpresat e Giallorossëve për barazim i shoi Esteban Cambiasso, i cili realizoi golin e pestë për zikaltrit dhe vendosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Me këtë fitore, Interi pozicionohet në vendin e tretë me 44 pikë dhe ka pesë pikë më pak se lideri Milan, por ka një lojë më pak të zhvilluar.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...