Liverpooli mposht Manchester United
Liverpooli shfaqi paraqitje epike në superderbin e kësaj fundjave në Ligën Premier, pasi mposhti me rezultat të pastër 3-1 rivalin e përbetuar historik dhe liderin Manchester United.
Liverpooli nisi takimin me formacion relativisht ofensiv. Gerrard luajti nga fillimi i takimit, ndërsa Ferguson zgjodhi një ekip me tipare defensive për shkak të mungesave në mbrojtje, për të cilën gjë pagoi çmim të lartë.
The Reds filluan më mirë takimin. Suarez gjendet mirë në zonë, por nuk ia doli të shkaktonte befasi. Në vazhdim skuadrat bien në gjumë derisa Berbatov e qëlloi shtyllën pingule në minutën e 15-të - fat i madh për Liverpoolin.
Në vazhdim ndeshja u takoi në tërësi vendasve. Luis Suarez pa pritmas vendosi të depërtonte në zonën e Manchester United dhe rezultati ishte fantastik. Kaloi katër-pesë lojtarë të mbrojtjes së United dhe më pas ia bëri bajat karrierën portierit Edwin Van der Saar duke ia futur topin nën këmbë. Përderisa topi po kalonte vijën, nga himalajet erdhi Dirk Kuyt për ta fundosur topin në rrjetë për 1-0 dhe epërsinë e parë të Liverpoolit (34’).Liverpooli nuk ndalet dhe ndez më tej takimin. Djajtë e Kuq e humbasin toruan dhe nuk e dinë as vet ku janë. Mungesa e Ferdinand dhe e Vidic vërehet më mirë në minutën e 40-të. Një harkim të përkryer në zonë e shfrytëzoi për mrekulli Dirk Kuyt, që realizoi me kokë për 2-0 dhe golin e tij të dytë në këtë takim.Skuadrat me rezultatin 2-0 shkuan në pushim, ndërsa fraksioni i dytë premtoi të ishte më interesant, edhe pse në fushë u pa vetëm një skuadër – Liverpooli.
Një goditje të rrezikshme të Meireles e ndali Van der Saar me të filluar pjesa e dytë, që ishte dhe rreziku kryesor deri në atë moment për Djajtë.
Rezistenca e Djajve nuk zgjat shumë, pasi engjëjt mbi Anfield vendosën që verdikti të jetë i tmerrshëm për liderët. Një goditje të ekzekutuar nga Luis Suarez nuk arriti ta ndalë Van der Saar, ndërsa në zonë më së miri u gjend holandezi Dirk Kuyt, që kompletoi hettrikun e tij në këtë takim (65’).
Deri në fund të takimit nuk ndodhi asgjë me rëndësi, United nuk kishte fuqi për t’u rikthyer pos një goli të nderit të shënuar në fund të takimit nga Javier Hernandez 'Chicharito', ndërsa vlen të përmendet debutimi i Andy Carroll për të cilin nga loja u largua Raul Meireles fantastik në këtë takim.
Me këtë fitore Liverpooli ngjitet në kuotën e 42 pikëve, ndërsa mbetet në pozitën e gjashtë. Manchester United tani përballet me telashe të mëdha. Djajtë e Kuq kanë 60 pikë, tri më shumë se Arsenali në pozitën e dytë, por Topçinjt kanë një ndeshje më pak të zhvilluar, plus derbin direkt ndaj Unitedit në Emirates në fund të muajit. Lufta për titull mbetet e hapur…
Category: Futboll
0 Komente