Mamurrasi mund Adën dhe ngjitet i dyti në renditje

Unknown | Thursday, November 15, 2012 |


Nga GJERGJ KOLA
Mamurrasi- Ada 3-1
Shënues: Malaj 14’, Selaci 33’, Metaj 78’/ Doçi 35’
Mamurrasi: Myrto, Buçi, GriShi (Sela 75’), Bega, Malaj, Verli, Dema, Selaci (Hysa 60’), Shima, Pustina (Batusha 80’), Metaj. Trajner: S. Bardhi
Ada: Dervishaj, Nika, Tola (Ferlushkaj 60’), Rusi, Ed. Doçi, Zefi, Çoba, Drabeja (Gokaj 18’), Pllumaj, Erkoçeviç, Mujeci (Jacaj 50’). Tr: R. Kulli
Gjyqtarë: E. Durmishi, F. Mata, E.Potami (Tiranë)
Kartona të verdhë: Bega, Malaj, Shima, Batusha/ Rusi, Jacaj
Mamurrasi ka arritur një tjetër fitore dje në fushën e vet ku ka mundur Adën me rezultatin 3-1 dhe me këtë trepikësh është ngjitur në vendin e dytë në renditje. Edhe këtë herë, ashtu si ndaj Partizanit pak ditë më parë, skuadra e trajnerit të rikthyer në pankinë Sinan Bardhi, ka shënuar tre gola dhe ka marrë tre pikë. “Viktima” e djeshme për të ka qenë Ada e Velipojës. Në fakt kjo e fundit ka qenë “viktima” e vetvetes, sepse ia ka dhuruar fitoren vendasve. Ndeshja nis e barabartë, me një epërsi më të lehtë të Mamurrasit që me anë të Metajt kërkon të shohë drejt portës mike. 
Ada ndërkohë luan e balancuar mirë në mesfushë, por në minutën e 14-të vjen gabimi i rëndë i portierit Dervishaj, ku topi i gjuajtur nga Metaj i bie nga dora dhe përfundon në rrjetë, 1-0. Një gol që ka çuditur vetë portierin, por edhe shokët e skuadrës së tij dhe drejtuesit ndërsa në anën tjetër, Mamurrasi e sheh veten në avantazh më lehtë nga sa e mendonte. Pas këtij goli, vendasit mundohen të kontrollojnë lojën. Në minutën e 33-të, topi shkon tel Selaci, gjuan fort me të majtën dhe gol, 2-0. Një rezultat ndoshta i pamerituar, sepse Mamurrasi nuk kishte bërë aq shumë në fushën e lojës sa për të patur një rezultat të tillë. Por edhe Ada do të përfitonte nga një gabim i portierit Myrtonë minutën e 35-të. 
Edmond Doçi do të ekzekutonte një goditje dënimi fare pranë flamurit të këndit dhe  përfundon direkt e në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet me fitoren 2-1 të Mamurrasit. Në të dytën pritet një luftë më e fortë sportive. Por sulmi i Adës nuk është në një ditë të mirë. Në minutën 78 Jacaj gabon në mbajtjen e topit, përfiton Pustina i cili e gjen të papërgatitur gjithë mbrojtjen e Adës, fut një top në zonë për tek Metaj që krejtësisht i lirë me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë dhe 3-1 mbyllet i gjithë takimi
Thanë pas ndeshjes
Sinan Bardhi, trajner i Mamurrasit: “Mendoj se merituam gjithçka. E kemi kontrolluar lojën, kemi shënuar atëherë kur duhet dhe arritëm të marrim tre pikë shumë të vlefshme, të cilat na çojnë në vendin e dytë në renditje. E rëndësishme është që skuadra të mbajë këtë ritëm dhe prandaj duhet të fitojmë ndeshje edhe jashtë fushës sonë”.
Ridvan Kulli, trajner i Adës: “Ka qenë një ndeshje në të cilën ne vetë ia dhuruam fitoren Mamurrasit me golat që shënuam po vetë. Është e pafalshme mënyra se si skuadra jonë po gabon në këto ndeshje. Duhet të ndryshojmë diçka por e kemi shumë të vështirë ta bëjmë këtë gjë sepse këtë kontigjent kam në dispozicion”.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!