Paralajmëron largimin nga boksi

Unknown | Sunday, November 18, 2012 |


Kampioni i botës në peshën e rëndë në boksin profesionist, Vitali Klitschko, ka paralajmëruar largimin e tij nga sporti. Kampioni i botës në versionin WBC, Klitschko, në një intervistë dhënë televizionit gjerman "ARD", ka thënë se ka arritur të gjitha që ka dashur në boks. 

Klitschko 41-vjeçar në ringun profesionist ka shënuar deri më tash 45 fitore (41 KO) e dy humbje. "Unë nuk dua të thyej rekord si boksieri më i vjetër në botë. Kam realizuar gati të gjitha ëndrrat që kam pasur. Duhet të jem realist dhe të shoh procesin biologjik në trup, nuk po bëhem më i ri. Me rëndësi është që të largohem në momentin e duhur", ka thënë Klitschko.

Vitali Klitschko në boksin profesionist kishte debutuar në nëntor të vitit 1996, ndërsa së bashku me vëllanë e tij Vladimirin kanë dominuar kategorinë e rëndë në vitet e fundit.

Vitali Klitschko pritet që të japë vendimin e tij definitiv për të ardhmen në sport më 17 dhjetor. Atëherë do të mblidhet për herë të parë parlamenti i ri i Ukrainës. Partia e Klitschkos, UDAR, ka fituar 14 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare në fund të tetorit dhe ka siguruar 40 ulëse në parlamentin ukrainas.

"Ukraina duhet të bëhet një vend demokratik. Unë luftoj për këtë dhe jam gati i sigurt: Ne do të fitojmë", ka thënë Klitschko.

Klitschko luftën e tij të fundit e zhvilloi më 8 shtator të këtij viti ku e mposhti me nokaut teknik në raundin e katërt boksierin me origjinë nga Libani, Manuel Charr.

Vladimir Klitschko, që është pesë vjet më i ri, ka në pronë titujt e botës në versionet WBA, IBF, ËBO dhe IBO.  

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!