El Clasico në gjysmëfinale (VIDEO)

Unknown | Friday, January 25, 2013 |

Përkundër paraqitjes dinjitoze të shfaqur nga Malaga, në gjysmëfinale të Copa del Rey është kualifikuar Barcelona pas fitores së madhe të arritur në La Rosaleda me rezultat 4-2.

Ishte kjo ndeshja që u parashikua të jetë prej më të vështirave këtë sezon për Barcelonën dhe ashtu edhe doli, megjithëse në fund vendimtare u treguan prekjet magjike të shkenctarëve të futbollit modern.

Mjaft me letërsi, i kthehemi ndeshjes. Barcelona e filloi takimin në mënyrë të mrekullueshme. Pedro u tregua i saktë pas tetë minutash lojë, për të kaluar në epërsi Barcelonën për 1-0.

Menjëherë reaguan vendasit. Joaquin si zakonisht u përkujdes për t’i ndezur shikuesit vendas me golin për 1-1 në minutën e 12-të.

Në vazhdim u zhvillua ndeshje agresive dhe deri në fund të pjesës së parë u shpërndanë edhe gjashtë kartonë të verdhë.

Në pjesën e dytë u zhvillua përsëri ndeshje atraktive. Me rezultatin 1-1 Barcelona eliminohej dhe me të filluar pjesa e dytë në epërsi për herë të dytë Barcën e kaloi Gerard Pique (49’), i cili ia dedikoi golin fëmiut të tij të porsalindur, Milan.

Në vazhdim të takimit Barcelona dominoi, por kjo nuk i interesoi Joaquinit, i cili në minutën e 68-të asistoi për Roque Santa Cruz, i cili barazoi për 2-2 dhe hapi ndeshjen përsëri.

Dhe kur të gjithë ishin kureshtarë që të shohin një eliminim të Barcelonës, qoftë edhe pas vazhdimeve, i të njëjtit mendim nuk ishin Cesc Fabregas dhe Andres Iniesta. I pari realizoi një aksion fantastik për këtë të fundit, që shënoi për 3-2 dhe heshtjen në La Rosaleda.

Dhe për plumbin vdekjeprurës është përkujdesur një prej snajperistëve më të mirë në botnë e futbollit, ai është Lionel Messi, i cili shënoi për 4-2 dhe rezultatin përfundimtar të këtij takimi inept në fund të tij.
Barcelona në gjysmëfinalen me dy ndeshje do të ketë punë me rivalin e përbetuar, Real Madridin, që të mërkurën mbrëma eliminoi Valencian.

Ndeshja e parë zhvillohet më 30 janar, ditë e mërkurë në Santiago Bernabeu, ndërsa ndeshja kthyese zhvillohet më 27 shkurt në Camp Nou.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!