Eliminohet Juventus

dardanmiftari | Wednesday, March 11, 2009 | 0 Komente

Një superndeshje është zhvilluar të martën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos, ndërmjet Juventusit dhe Chelseat, e cila ka përfunduar me rezultat të barabartë 2-2. Me këtë rezultat Blutë nga Londra kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërkohë që Zonjës së Vjetër i mbetet të luftojë për Scudetto dhe për Kupën e Italisë.
Juventusi ishte skuadër shumë më e mirë në fushë në të dyja pjesët e ndeshjes, megjithatë Chelsea u tregua skuadër e mençur dhe priti momentet e veta për t’i dënuar vendasit. Që në minutat e para të ndeshjes (13’) Bianconerët mbetën pa njeriun kryesor të mesfushës, Pavel Nedved, i cili u largua për shkak të lëndimit, duke lënë Juven të hendikepuar në mesfushë, kur llogaritet edhe lista e gjatë e mesfushorëve të lënduar.
Sido që të jetë, vendasit gjetën golin me anë të Vicenzo Iaquintas pas një pasimi të bukur nga David Trezeguet (19’), për të ndezur atmosferën në Torino. Por festa e tifozëve vendas u ndërpre në fund të pjesës së parë (45’+1) nga Michael Essien, i cili dërgoi skuadrat në pushim me rezultat të barabartë prej 1-1.
Më tutje, Juventus duhej të fitonte me avantazh prej dy golash për t’u kualifikuar në çerekfinale dhe këtë e kërkuan me ngulm bardhezinjtë gjatë pjesës së dytë. Por në minutën e 70-të vendasit morën një goditje tjetër, pasi që mbrojtësi kryesor Giorgio Chiellini u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë duke ia përkeqësuar punët edhe më shumë skuadrës së tij.
Përkundër mungesës së një lojtari, Zonja e Vjetër u tregua skuadër shumë më e fortë se mysafirët anglezë duke arritur që të krijojë sërish avantazhin me anë të kapitenit Alessandro Del Piero (74’), i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë. Mirëpo atëherë kur Juventus kërkonte golin e kualifikimit, doli në skenë Didier Drogba, i cili shoi shpresat e skuadrës bardhezi duke e mposhtur portierin Buffon (83’) dhe duke barazuar sërish rezultatin.
Minutat në vazhdim Juventus ndërpreu ofanzivën duke u pajtuar me eliminimin, ndërkohë që Chelsea ka mundur ta fitojë krejt takimin po t’i shfrytëzonte rastet në minutat e fundit të ndeshjes.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...