Fitore për kampionin (VIDEO)
Kampioni në fuqi i Ligës Premier, Manchester United, ka shënuar fitore prej 3-0 kundër Tottenham Hotspur në ndeshjen e dytë të sezonit të ri të zhvilluar të hënën mbrëma në Old Trafford.
Fraksioni i parë i lojës u mbyll pa gola duke u përcjellë me një përqendrim të mirë të mbrojtjeve të të dyja skuadrave. Përmendim rastin e Cleverleyt për nikoqirët, ndërsa Bale dhe Van der Vaart nga mysafirët e testuan De Gean.
Në pjesën e dytë gjithçka ndryshoi në favor të kampionit në fuqi. Pas një krosimi të Tom Cleverley, Danny Welbeck e mposhti me kokë portierin Friedel (61’) për ta hapur takimin. Realizimi i dytë ishte një supergol i United. De Gea e pasoi topin te Young, i cili lëvizi në të majtë për ta gjetur Rooneyn, ndërsa sulmuesi anglez pasoi te Anderson. Ky i fundit e gjeti Welbeckun brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, i cili ia ktheu topin, dhe braziliani shënoi për rezultatin 2-0 (76’).
Pak minuta pasi hyri në lojë veterani i Djajve të Kuq, Ryan Giggs, menjëherë u bë kreatori i golit të tretë duke depërtuar brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit dhe duke krosuar te Wayne Rooney, i cili i dha fund takimit (87’).Pas kësaj fitoreje, United pozicionohet i dyti me pikë të barabarta me rivalin lokal Manchester City.
Category: Futboll
0 Komente