FIFA flet për Kosovën, ende nuk ka zgjidhje

Unknown | Saturday, October 05, 2013 | 0 Komente

FIFA ka diskutuar për Kosovën gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv, i cili është mbajtur të enjten dhe të premten. Por, as kësaj radhe nuk është gjetur ndonjë zgjidhje për futbollin kosovarë. Ndërkohë, Sepp Blatter dhe Fadil Vokrri pritet të takohen sy më sy gjatë këtij muaji.
Pas një kohe të gjatë heshtje, FIFA ka diskutuar sërish për çështjen e futbollit kosovarë, i cili vazhdon të mbetet i izoluar.
Për Kosovën u diskutua gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-së, i cili është mbajtur me 3 dhe 4 tetor.
Çështja e Kosovës nuk ka qenë fare në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të shtëpisë botërore të futbollit.
Por, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri e ka konfirmuar për Express në këtë mbledhje është folur për vendin tonë.
“Në mbledhje e Komitetit Ekzekutiv është folur për Kosovën, por kjo ka qenë bisedë vetëm brenda anëtarëve”, ka thënë Vokrri nga Zvicra, i cili ka ndjekur nga afër këtë mbledhje.
Ndërkohë, burime të gazetës Express brenda FFK-së kanë bërë të ditur se në këtë takim nuk është marr asnjë vendim për vendin tonë.
Sipas këtij burimi, një vendim për futbollit kosovar pritet të merret në mbledhjen e radhës, pasi kësaj here Komitetit Ekzekutiv ka pasur çështje më me rëndësi në rendin e ditës.
Megjithëkëtë,Sepp Blatter nuk do ta lë anash Kosovën. Numri një i futbollit botëror, gjatë këtij muaji pritet t’i ftoj një takim drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Kam biseduar me Blatterin, dhe ai na ka ftuar në një takim pas datës 15 tetor ku do të diskutojmë rreth zhvillimit të ndeshjeve miqësore”, ka theksuar numri një i futbollit kosovarë.
Vokrri beson se pas këtij takimi Kosovës do t’i lejohet përfundimisht të zhvilloj ndeshje miqësore ndërkombëtare me përfaqësuesen pa kurrfarë kushti.
Ai nuk ka informacion nëse në takimin e tetorit me Blatterin do të jenë edhe pala serbe, e cila vazhdimisht ka penguar futbollin kosovar.
Shtëpia e futbollit botëror, në viti e kaluar i kishte lejuar Kosovës të luajë miqësore me të rinjtë dhe me ekipin e femrave, kurse përfaqësueses A ia ka mohuar një gjë të tillë.
Pavarësisht kësaj, ky vendim është refuzuar nga FFK, pasi FIFA i kishte kushtëzuar kosovarët që ta pyesin Serbinë, kur duan të luajnë brenda territorit të Kosovës.
Pas kësaj situate të krijuar presidenti i FIFA-së, në dhjetor të vitit të kaluar ka marr mandatin nga Komiteti Ekzekutiv që të udhëtoj në Serbi për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Dhe, me 12 qershor të këtij viti numri një i futbollit botëror është takuar me tashmë ish presidentin e Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS), Tomislav Karadzic dhe me Kryeministrin serb, Ivica Dacic.
Gjatë këtyre takimeve zvicerani kishte kërkuar që kosovarëve t’u mundësohet të luajnë futboll, pa u penguar nga askush, siç ka ndodhur deri tash.
“Gjatë një bisede që pata me Kryeministrin Dacic, i kërkova që të gjendet një zgjidhje koherente, të kënaqshme për futbollistët e Kosovës, në mënyrë që t’u mundësohet të rinjve të këtij vendi të luajnë futboll”, kishte thënë Blatter pas takimit.
“Është një situatë delikate, e cila nuk mund të zgjidhet brenda natës, por hap pas hapi. Mirëpo, ka disa shenja që japin shpresë për të ardhmen”, ka shtuar kreu i futbollit botëror.
Pritet të shihet se a do të zgjedhjet çështja e futbollit kosovar gjatë këtij muaji, apo do të vazhdoj të zvarritet ende. /Express/Telegrafi/ 

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...