Wade dërgon Heat në finale
Dwyane Wade ka realizuar double-double për të ndihmuar Miami Heat të sigurojë vend në finalet e Konferencës Lindore duke mposhtur Indiana Pacers me rezultat 105-93 në ndeshjen e gjashtë mes tyre.
Heat kualifikohen në mesin e katër ekipeve më të mira në NBA-së pasi fituan serinë gjysmëfinale të playoffit të Lindjes me rezultat 4-2 nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara, dhe në finalet (e Lindjes) do të takohet me Boston Celtics ose Philadelphia 76ers. Këto dy të fundit do ta zhvillojnë ndeshjen e shtatë vendimtare, nesër (e shtunë) në Boston.
Miami rikthehet në finalet e Lindjes për të dytin vit radhazi. Sezonin e kaluar ata fituan në këtë Konferencë duke mposhtur Chicago Bulls për të arritur në finalen e përgjithshme të NBA-së ku humbën nga Dallas Mavericks 4-2 me ndeshje.
Në ndeshjen e mbrëmshme Dwayne Wade kontribuoi me 41 pikë, 10 kërcime dhe tre asistime, derisa MVP i sezonit, LeBron James, shënoi 28 pikë. David West ishte shënuesi më i mirë te Indiana me 24 pikë, ndërsa George Hill kontribuoi me 18 pikë.
Category: Basketboll
0 Komente